Tregime suksesi nga shkëmbimi rinor në Itali

Mentorët e klubeve të TOKA-s kanë qëndruar në Orvieto, Itali gjatë shkëmbimit rinor në kuadër të shoqatës Artemide. Mëposhtë gjeni përshtypjet e secilit nga kjo përvojë. 

Ardiana Lahu, 24 vjet, Vushtrri

"Përvoja ime në shkëmbimin rinor të ofruar nga Shoqata Artemide ka qenë magjike dhe rritëse në të njëjtën kohë. Duke filluar nga fshati Cerquosino, e duke vazhduar deri tek stafi e pjesëmarrësit. Aq shumë dashuri dhe paqe më është ofruar nga çdokush, sa jam ndjerë e përmbushur në çdo aspekt!

Momentet kur jam ndjerë krenare dhe e lumtur kanë qenë të shumta, por do ta veçoj aktrimin në shfaqjen teatrale që e kemi ofruar para publikut.

Kjo përvojë lidhet në shumë aspekte me TOKA-n dhe kontributin në komunitet. Duke filluar se sa e rëndësishme është pranimi i vetes tonë, pastaj zhvillimi i empatisë, të kuptuarit e reziliencës dhe rëndësisë në rritjen tonë personale por edhe profesionale. Ndërlidhja e këtyre koncepteve përmes aktiviteteve të TOKAs në mënyra të ndryshme do të ishte një frytdhënëse për shumë të rinj të komunitetit."

Rudina Zeqiri, 19 vjet, Prishtinë

"Shkëmbimi rinor në Itali ka qenë njëra ndër përvojat më të bukura që kam pasur. Ka qenë një miks shumë i mirë i mësimit të gjërave të reja dhe argëtimit me njerëz të kulturave të ndryshme. Shkëmbimi rinor ka pasur shume aktivitete reflektuese, të cilat me kanë ndihmuar jashtëmase, ato aktivitete kanë pasur ndikim të madh emocional dhe mendor, gjë për të cilën jam shumë mirënjohëse të kem pasur mundësinë t’i realizojë. 

Punën që e bëj te TOKA është punë ku jam gjithmonë e rrethuar me të rinjë, dhe mundohem që tï ndihmojë të arrijnë potencialin e tyre, e përvoja që kam përjetuar në shkëmbimin rinor në Itali, i cili më ka bërë akoma më të vetëdijshme për rolin tim ndaj vetes dhe ndaj të tjerëve."

Nuhi Tërshani, 21 vjet, Shtime

"Rrugëtimin me TOKAn e kam filluar në vitin 2018 si kampist dhe që nga ajo kohë TOKA më ka ofruar shumë mundësi qoftë brenda shtetit tonë qoftë jashtë shtetit, si rasti i Shkëmbimit rinor në Itali.Përvoja në Itali është njëra ndër përvoja më të veçanta që e kam përjetuar gjatë jetës, aktivitetet, njerëzit e rinj, stafi çdo gjë ishte magjike dhe dukej që ishte diçka iluzionare, do të doja të jetoja gjithmonë në atë “iluzion”.

“Kushdo që dëshiron të shohë ylberin, duhet të mësojë ta dojë shiun; rrugët e reziliencës” ishte i emëruar programi i shkëmbimit rinor, andaj mesazhi që dua ta ndajë dhe të përcjell tek të gjithë është që ju duhet të duani dhe të vlerësoni veten tuaj dhe të pranoni çdo pjesë dhe copëz tuaj edhe nëse nuk është më e mira e mundshme sepse kështu ju mund të ndani energjinë e mahnitshme që e keni brenda vetës dhe mund ta përçoni tek të tjerët."

Zamire Rexhepi, 30 vjet, Skenderaj

"Jam mësimdhënëse dhe pjesë e organizatës TOKA  nga viti 2018,  fillimisht si vullnetare, kurse tash si mentore e Klubeve të Super-Vullnetarëve.

Përvoja ime në këtë shkëmbim rinor do të mbetet si një nga më e veçanta për shkak të natyrës së aktiviteteve, por edhe ngrohtësisë që ma dha vendi dhe stafi i Artemides.

Mundësia për të menduar e treguar kush jemi, si ndihemi, apo çfarë duam me anë të lëvizjeve të trupit, fotografive, vallëzimit, këndimit dhe aktiviteteve tjera është ajo çfarë do të më hyjë në punë shumë si mentore me klubet e TOKA- s, por edhe si mësimdhënëse brenda në klas.

Lidhja e fortë në grup kërkon besim, pranim, hapësirë dhe vleresim dhe të gjitha këto ishin principe të punës në Artemide.Jam e mahnitur me aktivitetet e zhvilluara, që nga aktiviteti i parë i ceremonisë së hapjes, e deri te shfaqja teatrale - finalizimi i aktiviteteve."

Driera Shala, 24 vjet, Lipjan

"Rrugëtimi i përvojës time në Shoqatën Artemide ka filluar që nga nëntori i vitit që lamë pas. Një përvojë shumë unike dhe shumë rritëse për mua, pasi që kam kuptuar më shumë për vetën time dhe rrugëtim tim personal.

Rikthimi im pas disa muajve në Artemide, në ngrohtësinë, gjallërinë dhe mbi të gjitha çiltërsinë e stafit më bërë të ndihem sikur të ishte hera ime e parë aty. Njoha të rinj, kultura, gjuhë dhe fjalë të reja e mbi të gjitha kuptova se në këtë rrugëtim të zbulimit të vetës dhe të asaj që na bënë autentik dhe të veçant ishim të gjithë. Ai ishte një vend ku të largonte nga rutina dhe zhurmat e përditshme të jetës, nga sfidat, stresin dhe ankthin e jetës. Aty pata mundësin pas një kohe të gjatë të ulem me emocionet, mendimet dhe trupin tim. T’i ndjej dhe t’i pranoj. Dhe kjo e bënë të veçantë Artemiden dhe aktivitetet reflektuese të tyre.

Përvojën e fituar në Artemide po tentojë gjithmonë ta lidhi në punën që bëjë me të rinj, duke bërë të kuptojnë rëndësin e të pranuarit të vetës, vlerën, të duan veten e tyre, e mbi të gjitha të kuptojnë rëndësinë e shëndetit mendor në jetët tona. Sepse ajo që ndejmë brenda është më e rëndësishme se ajo që shohim nga jashtë."

Ky Shkëmbim Rinor u mbështet nga Programi Erasmus+ i Bashkimit Evropian.